Proçedurat e paisjes me pasaportë të shtetasve me banim jashtë shtetit
1. Rrugët se si mund të pajiset shtetasi me pasaportë udhëtimi
Shtetasit shqiptarë të cilët ndodhen me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që nuk kanë mundësi të vijnë në atdhe për t’u pajisur me pasaportë për jashtë shtetit dhe përmbushin kërkesat ligjore, aplikojnë për t’u pajisur me pasaportë duke shfrytëzuar dy mundësi:
a) Pranë Përfaqësive Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Shqipërisë ku ata janë rezidentë. Në këtë rast shtetasit shqiptarë duhet të veprojnë sipas këtyre rregullave:
- Të paraqiten personalisht pranë Përfaqësisë Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Shqipërisë në vendin ku ata janë rezidentë për të aplikuar në procedurat e pajisjes me pasaportë.
- Para se shtetasi të bëjë kërkesën për pasaportë duhet të ketë kryer ndryshimet e akteve të gjendjes civile në rregjistrat themeltarë në Shqipëri, nëse kanë ndodhur të tilla.
b) Me anë të një prokure të posaçme noteriale.
Prokura e posaçme mund të bëhet tek nëpunësi i përfaqësisë ose tek autoritetet kompetente të vendit përkatës. Në rastin e dytë ajo duhet të legalizohet në përfaqësinë tonë diplomatike ose konsullore si dhe të përkthehet në gjuhën shqipe.
2. Dokumentacioni për aplikim për pasaportë:
2/1 Për shtetasin madhor, mbi moshën 16 vjeç
a) Kërkesa për pajisje me pasaportë konform Udhëzimit të Ministrit të Punëve të Jashtme, e firmosur nga aplikanti dhe e vërtetuar nga nëpunësi konsullor.
b) Formulari për pasaportë (Udhëzimi nr. 7677 dt. 3.12.2002, të MPJ, MRP dhe MF) që plotësohet nga nëpunësi konsullor.
c) 4 copë fotografi aktuale, të përmasave 5 x 4 cm me ngjyra dhe me sfond të bardhë, pamje ballore dhe fytyra të zërë 70% të saj.
ç) Çertifikatë lindjeje me fotografi për pasaportë, të njëjtë me 4 fotografitë që dorëzon në përfaqësi. Çertifikata të merret në vendbanimin e tij të përhershëm në Shqipëri dhe të përmbajë numrin e rregjistrit themeltar, numrin e faqes në rregjistër dhe numrin rendor të shtetasit.
d) Mandati i arkëtimit, një kopje e të cilit dërgohet në MPJ bashkë me dokumentacionin (një kopje i jepet të interesuarit)
2/2 Për shtetasin e mitur, nën moshën 16 vjeç
a) Kërkesa për pajisje me pasaportë, sipas Udhëzimit të Ministrit të Punëve të Jashtme me nr. 4096, e firmosur nga dy prindërit dhe e vërtetuar nga nëpunësi konsullor.
b) Formulari për pasaportë (Udhëzimi nr. 7677 dt. 3.12.2002, të MPJ, MRP dhe MF) që plotësohet nga nëpunësi konsullor.
c) 4 copë fotografi ( në zarf) të përmasave të njëllojta me ato që paraqesin shtetasit madhorë.
ç) Çertifikatë lindjeje me fotografi për pasaportë, me të njëjtat kërkesa si për rastin e shtetasve madhorë.
d) Mandati i arkëtimit, si në rastin e shtetasit madhor.
f) Çertifikatë familjare, në të cilën jepen të dhëna përmbi përbërjen familjare;
g) Për rastet e prindërve të divorcuar, vendim gjykate, kopje e noterizuar e vendimi gjykate, me të cilin dokumentohet divorci dhe kujdestaria. Për rastet e fëmijëve me një prind, dokumenti ligjor që dokumenton mospasjen e prindit tjetër, ose kopje e noterizuar e tij;
Për këta fëmijë, kërkesa për pajisje me pasaportë firmoset vetëm nga prindi që ka fëmijën në ngarkim;
3. Plotësimi i formularit dhe vendosja e fotografive
a) Formulari plotësohet qartë dhe me gërma kapitale nga nëpunësi konsullor.
b) Nëpunësi konsullor nënshkruan formularin duke shënuar emrin, mbiemrin e funksionin, si dhe hedhur firmën poshtë rubrikës „Pranuesi “.
Formulari plotësohet edhe për aplikimin e shtetasit të mitur;
c) Dy fotografitë që vendosen në formular, duhet të vendosen në vendet e caktuara, sipas modelit të dërguar në përfaqësi.
4. Nënshkrimi në kuadratin rozë
a) Shtetasi madhor dhe i mituri në moshë shkollore, që di të shkruajë, nënshkruajnë në kuadratin rozë duke hedhur lirshëm me dorë emrin dhe mbiemrin;
b) Për të miturin nën moshën shkollore, që nuk di të shkruajë, njëri prind shkruan lirshëm me dorë emrin dhe mbiemrin e fëmijës;
c) Është i papranueshëm formulari, në të cilin nënshkrimi në kuadratin rozë del jashtë kufijve të lejuar. Për këtë nëpunësi konsullor porosit shtetasin para nënshkrimit.
5. Prokura
5/1 Legalizimi i prokurave të përpiluara nga autoritetet e huaja;
a) Prokurat e përpiluara nga autoritetet e huaja (noterët publikë) para se të dërgohen nga i interesuari në Shqipëri, legalizohen paraprakisht nga përfaqësia shqiptare e akredituar në vendin përkatës;
b) Në vendet ku Shqipëria nuk ka përfaqësi të akredituar, prokura pasi të jetë legalizuar nga Ministria e Jashtme e vendit, legalizohet nga Drejtoria Konsullore, posti i legalizimit, me kushtin që në këtë post të jenë të depozituara më parë specimenet e firmave dhe vulave të Ministrisë së Jashtme të vendit të huaj .
5/2 Nënshkrimi në kuadrat
a) Për prokurat e përpiluara në përfaqësi, nëpunësit konsullorë parashikojnë një kuadrat me përmasat e kuadratit rozë, ku porositësit të shënojnë me dorë lirshëm emrin dhe mbiemrin e tyre;